


Heqja e dhëmballëve të pjekurisë
Dhëmballët e pjekurisë janë dhëmballët e tretë në harkadën dentare, të cilat shfaqen në gojë rreth moshës 18–25 vjeçare. Ato mund të pozicionohen normalisht në gojë, por për shkak se madhësia e nofullave mund të jetë e vogël, nuk mbetet hapësirë e mjaftueshme që këto dhëmbë të pozicionohen normalisht. Për këtë arsye, ato mund të mbeten pjesërisht ose plotësisht brenda në nofull.
Përse duhet të hiqen dhëmballët e pjekurisë?
-
Dhëmballët e pjekurisë pjesërisht ose plotësisht të eruptuara prishen shpejt, infektohen, shkaktojnë dhimbje dhe enjtje, si dhe mund të dëmtojnë dhëmballën ngjitur.
-
Dhëmballët e pjekurisë plotësisht të mbetura në nofull mund të krijojnë infeksion ose kist rreth tyre, të dëmtojnë dhëmballën ngjitur, si dhe të shkaktojnë dhimbje.
Kur duhet të hiqen dhëmballët e pjekurisë?
Dhëmballët e pjekurisë të eruptuara plotësisht ose të mbetura pjesërisht apo plotësisht në nofull indikohen të hiqen në këto raste:
-
kur janë të prishura
-
kur janë të infektuara
-
kur shoqërohen me dhimbje ose enjtje
-
kur dëmtojnë dhemballën ngjitur
-
për arsye ortodontike
Si realizohet heqja e dhëmballëve të pjekurisë?
Heqja e dhëmballëve të pjekurisë kryhet nga kirurgu dhe mund të jetë me vështirësi të thjeshtë deri në të komplikuar në varësi të pozicionit të tyre në nofull.
Rekomandohet që kontrolli oral në lidhje me dhemballët e pjekurisë të bëhet që në moshën 16 vjeçare, moshë në të cilën është formuar vetëm kurora, pasi është më e lehtë të hiqen përpara se të formohen edhe rrënjët.
Kirurgu maksilofacial bën vlerësimin e grafisë panoramike për të përcaktuar ecurinë që do të kenë dhëmballët e pjekurisë.